Ballina Aktualitet Tiranë, kryedemokrati Basha sposton turmën te KQZ: Të dorëzojmë qindra mandate

Tiranë, kryedemokrati Basha sposton turmën te KQZ: Të dorëzojmë qindra mandate

Pas rreth 2 orë e gjysmë protestë tek parlamenti, kryedemokrati Lulzim Basha iu ka kërkuar protestuesve të shkojnë së bashku drejt KQZ-së, ku sipas tij do dorëzohen qindra mandate. KQZ ndodhet pranë katedrales ortodokse, ku nuk ka prani policie.

Më herët ka pasur flakë e tym tek parlamenti, Protestuesit i vunë zjarrin gomave dhe karikaturave të bëra për kryeministrin Edi Rama dhe zona e protestës është mbuluar nga tymi. Po kështu ata kanë lagur me ujë efektivët e policisë dhe kanë hedhur ndaj tyre sende të forta e drurë. Potestuesit hedhin vazhdimisht shashka e tymuese në oborrin e parlamentit dhe me vuvuzela kërkojnë largimin e kryeministrit. “Rama ik!” kanë qenë thirrjet e tyre. Ndërkohë një ambulancë ka marrë me barelë një prej protestuesve i cili është ndjerë keq.

Opozita e bashkuar proteston sot sërish kundër qeverisë. Protesta ka nisur në orën 10:00 në të njëjtën kohë kur Kuvendi zhvillon seancën plenare.

Kjo është e katërta protestë e opozitës që prej 16 shkurtit. E para pati konfrontime dhe tentativë për të hyrë në Kryeministri, ku u thyen xhamat e dyerve dhe u përdor masivisht gazi lotsjellës nga ana e policisë. Protesta e dytë u zhvillua paqësore dhe kulmoi me dorëzimin e dorëheqjeve nga mandati në Kryesinë e Kuvendit.

Protesta e tretë u zhvillua një javë më parë, më 26 shkurt ku sërish pati situatë të tensionuar dhe gaz lotsjellës nga ana e forcave të rendit.