Ballina Uncategorized Tiranë, kryebashkiaku Veliaj uron Krishtlindjet, zbulon suprizat për Vitin e Ri

Tiranë, kryebashkiaku Veliaj uron Krishtlindjet, zbulon suprizat për Vitin e Ri

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi sot të gjithë besimtarët e krishterë dhe orthodhoksë me rastin e Krishtlindjes. I pranishëm në pritjen e Kishës Orthodhokse ku i përcolli urimet Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Jannullatos, Veliaj deklaroi se këto festa janë edhe një moment reflektimi për këdo, ndërsa siguroi se 2019-a do të jetë një vit punësh.

“Uroj që ky fundvit dhe këto festa, të na bëjnë pak më të mirë. Kur mendon se sa shumë çirremi dhe grindemi me njëri-tjetrin, ndonjëherë për gjëra kot, shumë zhurmë për asgjë, dhe në fund të ditës punët gjithsesi bëhen, harrojmë kush ulërinte më shumë në fillim. 2019 do të jetë një vit punësh, një vit shumë më i mirë se sa ky që lamë pas, edhe pse ndihem mirë që falë solidaritetit të njerëzve kemi pasur një 2018 jo pak të suksesshme,” – deklaroi ai.

Për festat e fundvitit, Bashkia e Tiranës ka marrë të gjitha masat për organizimin e një koncerti festiv, ku nuk do të mungojnë fishekzjarrët, por edhe zërat më të mirë të muzikës, për të pritur 2019-n me energji pozitive.

“Kemi marrë masat që për Vitin e Ri të sigurohemi që të jetë vetëm Bashkia e Tiranës ajo që hedh fishekzjarrët. Kështu, edhe njerëzit kursejnë, por edhe nuk kemi atë histerinë me zhurma dhe plasje, që ndodh tipikisht në anët tona. Jam shumë i lumtur që kemi organizuar, siç bëmë mbrëmë, edhe një koncert për natën e 31 dhjetorit me disa nga artistët më të mirë, për të rifilluar punën në 1 janar me çekun e bebes, që këtë vit falë vendimit të qeverisë Rama është 8-fishi i asaj që jep Bashkia,” – tha Veliaj.