Ballina Aktualitet Tiranë, kryebashkiaku Veliaj: 1104 familje përfitojnë kredi të butë

Tiranë, kryebashkiaku Veliaj: 1104 familje përfitojnë kredi të butë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj sot bëri të ditur se 1104 familje dhe çifte të reja dhe të pastreha të Tiranës, do të kenë mundësi që përmes programit të kredisë së butë të sigurojnë një shtëpi duke i dhënë zgjidhje strehimit të tyre.

“Lajmi besoj më i gëzueshëm është miratimi me votën e sotme, tani më ka ardhur shifra e saktë, 1104 familje që marrin kredi të buta, falë projektit të Bashkisë së Tiranës për t’i ndihmuar familjet e reja me shtëpinë e tyre të parë”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës. Ai gjithashtu bëri të ditur se mes përfituesve janë edhe disa prej familjeve të zonës së Astirit që preken nga projekti i Unazës së Re.

Mes këtyre familjeve që ne kualifikojmë sot janë edhe familjet e prekura nga projekti i Unazës së Re që i kanë besuar vizionit të Bashkisë së Tiranës edhe për të zhvilluar qytetin por edhe për t’u siguruar atyre një strehim dhe ndërkohë kemi edhe një vendim tjetër numër 13 për sistemin e familjeve në banesat sociale në Shkozë që po ashtu janë prekur nga projekti I Unazës së Re. I kam vizituar personalisht familjet dhe i kam parë si i kishin kushtet. Ju garantoj që janë më mirë në banesat sociale se sa me kasolle, mbi kanalin dhe pusetat e ujërave të zeza aty ku ishin strehuar në 20 e ca vitet e fundit. Siç jeni dëgjuar vetë nga ata, dita me natën,” – shtoi Veliaj.

Fituesit që kanë plotësuar kriteret e përcaktuar me vendim të Këshillit Bashkiak, do të përfitojnë kredi me interesa të buta për të blerë shtëpi, falë programit më ambicioz që ka aplikuar ndonjëherë Bashkia e Tiranës, duke dhënë një model realist dhe efikas për zgjidhjen e problemit të strehimit në qytetin e Tiranës.