Ballina Aktualitet Tiranë, kriza politike, Basha i përgjigjet Ramës: Qëndrimi ynë është i prerë,...

Tiranë, kriza politike, Basha i përgjigjet Ramës: Qëndrimi ynë është i prerë, dorëhiqu

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i është përgjigjur letrës së dytë publike të kryeministrit Edi Rama, por jo duke iu drejtuar atij drejtpërsëdrejti. Përmes një statusi në Facebook, lideri demokrat iu është drejtuar qytetarëve, ku edhe ka bërë të ditur qëndrimin e tij për kërkesën e kryeministrit Rama për të biseduar.

“Qëndrimi im i prerë dhe i palëkundur është se Edi Rama duhet të largohet menjëherë nga Kryeministër, sepse ai është shkatërrues i zgjedhjeve të lira dhe dhunues i vullnetit të popullit, – thekson lideri i opozitës. – Ndryshimi i madh që duam të gjithë, standardet europiane në Shqipërinë tonë mund të arrihen vetëm nga një pushtet që buron nga vota e lirë e qytetarëve dhe ushtrohet në emër të tyre.”

Basha ka theksuar se, nisur nga situata ku kalon vendi, kryeministri Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen kohë më parë. “Sikur Edi Rama të kishte qoftë edhe një fije respekt dhe vëmendje për popullin, sikur tek ai të kishte vetëm një fije vetëdije demokratike, ai do ta kishte dhënë dorëheqjen të paktën 20 herë këto gjashtë vitet e fundit,” – shkruan kryetari i Partisë Demokratike.