Ballina Aktualitet Tiranë, KPK konfirmon në detyrë gjyqtarin Enton Dhimitri

Tiranë, KPK konfirmon në detyrë gjyqtarin Enton Dhimitri

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi sot në detyrë Enton Dhimitrin, gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit në Gjirokastër. Aktualisht, gjyqtari Enton Dhimitri është dhe kandidat për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Trupa gjykuese arsyetoi se subjekti i rivlerësimit është i besueshëm në shpjegimet e tij për padijeninë e përfshirjes të personit të lidhur me krimin e organizuar. Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga Xhensila Pine, Genta Tafa Bungo dhe Pamela Qirko.

Në seancat e mëparshme dëgjimore u konstatua se kunati i gjyqtarit Dhimitri rezultonte i dënuar në Greqi me 20 vite burg për trafikim të lëndëve narkotike. Kjo e dhënë, në fakt, nuk ishte shënuar nga gjyqtari në deklaratën e tij të pastërtisë së figurës. Por, vetë gjyqtari Dhimitri u shpreh se nuk kishte marrëdhënie me kunatin, dhe trupi gjykues i KPK e ka marrë si të besueshëm këtë shpjegim.