Ballina Aktualitet Tiranë, kostot e ndërtimit, paralajmërohet shtrenjtim i apartamenteve

Tiranë, kostot e ndërtimit, paralajmërohet shtrenjtim i apartamenteve

Kostot e ndërtimit kanë shënuar rritje të ngadaltë dhe të qëndrueshme gjatë tremujorëve të fundit. Sipas INSTAT, Indeksi i kushtimit në ndërtim, në tremujorin e tretë 2018 arriti 103,6, duke shënuar rritje me 0,5 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2017.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, indeksi i grupit ”Shpenzime transporti” u rrit me 2,5 %, pasuar nga grupi “Kosto të tjera” dhe “Shpenzime për paga” përkatësisht me 2,1 % dhe 0,9 %. Ndërsa rënie ka shënuar grupi “Shpenzime materiale” me 0,6 % dhe grupi “Shpenzime makinerie” me 0,2 %. Në tremujorin e tretë 2018, ndryshimi tremujor i indeksit të kushtimit në ndërtim është 0,1 %.
Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, rritje kanë shënuar grupet: “Shpenzime materiale” me 0,5 %, “Shpenzime page” me 0,2 %, “Shpenzime transporti” me 0,1 % dhe “Shpenzime makinerie” me 0,1 %.
Ndërsa rënie ka shënuar grupi “Kosto të tjera” me 0,4 %.

Kostot e rritura, një nga faktorët që po ndikojnë në shtrenjtimin e apartamenteve
Ndërtuesit japin si arsye kryesore për rritjen e çmimeve taksat e larta, të cilat pjesa më e madhe e tyre i kanë transferuar te çmimi final për apartamentet, ku pas taksës së ndikimit në infrastrukturë, pritet që nga 1 janari, ndërtuesit të paguajnë edhe një taksë në natyrë për strehimin social, për krijimin e fondit me 3% të sipërfaqes totale të ndërtimin. Përveç taksës së infrastrukturës dhe taksës së aplikueshme pas 1 janarit për krijimin e fondit për strehimin social, ndërtuesit shprehen të shqetësuar edhe për tarifën mbi mbetjet inerte. Sokol Kika thotë se kostot për një metër kub dhe janë 2000 lekë, çka ka ndikuar në shtimin e kostove.