Ballina Aktualitet Tiranë, kontroll gjyqtarëve të çështjes “Dajti”, Daminit i sekuestrohen 15 mijë euro...

Tiranë, kontroll gjyqtarëve të çështjes “Dajti”, Daminit i sekuestrohen 15 mijë euro (VIDEO)

Forcat speciale të Policisë së Shtetit kanë zbarkuar, në orët e para të mëngjesit të sotëm, në banesat e tre gjyqtarëve, të cilët firmosën anulimin e dënimit të Dritan Dajtit me burgim të përjetshëm dhe pranimin e gjykimit të shkurtuar, gjë që e kthen dënimin e tij në 25 vite heqje lirie.

Kontrollet janë ushtruar në banesat e gjyqtarit Skënder Damini, i cili ka dy të tilla, një në Vlorë dhe një në Tiranë, si edhe në banesat e gjyqtarit Petrit Aliaj, në Tiranë dhe Sarandë, dhe të gjyqtarit Aleks Nikolla në Lezhë.

Burimet zyrtare policore kanë konfirmuar se kontrolli i ushtruar në banesën e gjyqtarit Skënder Damini ka zbuluar 15 mijë euro dhe sende të tjera me vlerë, të cilat janë sekuestruar. Për momentin, ndaj gjyqtarit Damini nuk janë ngritur akuza, megjithatë hetimet për të zbardhur prejardhjen e parave kanë nisur.

Kontrolli i befasishëm në banesat e tre gjyqtarëve kanë nisur në orët e para të mëngjesit sotëm, pas një vendimi të marrë nga Gjykata e Krimeve të Rënda me kërkesë të organit të akuzës.

Trupi gjykues i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, i cili ndryshoi dënimin për Dritan Dajtin për vrasjen e katër policëve, përbëhej nga pesë anëtarë, dhe vetëm tre prej votuan pro shfuqizimit të dënimit të përjetshëm.