Ballina LAJME Tiranë, konkursi për gradën “Komisar”

Tiranë, konkursi për gradën “Komisar”

Ditën e sotme u zhvillua testi i shumëpërfolur për gradën “Komisar” në Policinë e Shtetit që për arsye sigurie u zhvendos në godinën e Agjencisë Kombëtare të Provimeve.
Në konkurs morën pjesë 150 oficerë – nga 480 në total që konkurrojnë për 130 vende vakante. Provimi u zhvillua në kompjuter si edhe në mbikëqyrjen e kamerave të sigurisë.
Pjesa tjetër e mbetur e konkurentëve do të testohen gjatë dy ditëve në vijim, të ndarë në disa grupe, ndërsa oficerët në përfundim të provimit marrin vlerësimin automatik nga kompjuteri të pikëve të grumbulluara.
Jashtë kamerave ata thanë se këtë herë, ndryshe nga testi i zhvilluar në Akademinë e Sigurisë nuk pati parregullsi.
Testi i parë u anulua me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, me dyshimet se u kopjua dhe teza kishte dalë më parë.
Për këtë rast të paprecedentë, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave ka referuar edhe një kallëzim në Prokurori.
Konkurset për komisar dhe kryekomisar kishin disa vite që nuk ishin hapur, ndërsa shumë oficerë në këto kushte e kanë përfituar gradën me anë të vendimit të gjykatave.