Ballina Aktualitet Tiranë, koncert festiv në shesh për Krishtlindje

Tiranë, koncert festiv në shesh për Krishtlindje

Tirana priti Krishtlindjet me një koncert festiv që u zhvillua në sheshin “Skënderbej”.

Reshjet e shiut nuk ndalën qytetarët që të jenë të pranishëm në shesh për festimet. Festa nisi me tingujt muzikore të orkestrës frymore ku u luajtën partiturat hite të këngëve të Kërshëndellave.

Teksa përshëndeti të pranishmit për Krishtlindjet, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se 2018 është një vit i mbushur me shumë punë të bukura dhe siguroi se më e mira për Tiranën është gjithmonë përpara.

“Uroj që të jetë bereqet ky vit i ri që vjen në 2019-n dhe shpresoj me gjithë punët e bukura që kemi bërë në 2018-n, të jemi gjithmonë bashkë dhe të jemi gjithmonë pozitivë e optimistë, se më e mira për Tiranën është gjithmonë përpara. Për të gjithë ata vëllezër e motra të krishterë, duam t’u urojmë Gëzuar Krishtlindjet dhe qoftë një Krishtlindje e bukur dhe e mbarë por edhe për të gjithë të tjerët, duke qenë se ne në Tiranë i festojmë të gjitha festat qofshin edhe ato fetare. Duam t’u urojmë vetëm më të mirën, energjinë pozitive që buron nga ky qytet dhe që frymëzon gjithë punët e mira që ndodhin në Shqipëri,” – tha Veliaj.

Ai gjithashtu falenderoi edhe artistët që iu bashkuan Bashkisë për të pasuruar jetën kulturore të kryeqytetit në këto ditë festash.