Ballina Aktualitet Tiranë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i heq mandatin kryebashkiakut Agim Kajmaku

Tiranë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i heq mandatin kryebashkiakut Agim Kajmaku

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur sot, në mënyrë unanime, që t’i heqë mandatin Agim Kajmakut, i cili më 30 qershor u zgjodh në postin e kryetarit të Bashkisë së Vorës.

Agim Kajmaku u denoncua nga Partia Demokratike se, në vitin 2003, ishte ndaluar dhe proceduar penalisht në Greqi nën akuzën e falsifikimit të kartmonedhave, gjë të cilën ai e kishte fshehur në momentin e deklarimit të së kaluarës së tij kur u bë pjesë e garës për t’u zgjedhur në një post drejtues në administratën publike.

Në atë kohë, në vitin 2003, Agim Kajmaku njihej me emrin Jorgo Toto dhe pikërisht me këtë emër ai figuronte në ndjekje penale në Greqi.

Pas vërtetimit nga Prokuroria e Përgjithshme se Jorgo Toto dhe Agim Kajmaku ishin i njëjti person, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot heqjen e mandatit.