Ballina Aktualitet Tiranë, KLSH: Dëmi nga koncesionet 957.3 mln euro

Tiranë, KLSH: Dëmi nga koncesionet 957.3 mln euro

Dëmi ekonomik shkaktuar buxhetit të shtetit gjatë periudhës janar-shtator 2018 përllogaritet të jetë 957.3 milion euro.
Të dhëna janë publikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit pas auditimeve të realizuara në disa prej institucioneve më të rëndësishme në vend.

Konçesionet PPP, dhënia me qira dhe shitja e pronës publike janë sektori i cili ka pasur nivelin më të lartë të dëmit financiar që llogaritet të jetë 2.1 mld lekë ose 16.8 mln euro. Më pas renditen doganat me një dëm që e kalon 1 mld lekë, prokurimet, tatim-taksat dhe shpenzimet operative. Dhënia e konçesioneve PPP ka shkaktuar shumë debate për shkak të impaktit financiar.

Institucione të rëndësihme financiare kanë bërë apel që kontratat të jenë transparente dhe të bëhet një përllogaritje më e saktë e shpenzimeve.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit shkeljet më të mëdha janë konstatuar në displinën financiare e cila ka të bëjë me shpenzimet e realizuara pa efiçencë.
Nga auditimet ka rezultuar gjithashtu se ka pasur shumë probleme, shkelje dhe parregullsi në aspektin e shpenzimeve.

KSH ka konstatuar gjithashtu abuzime dhe pagesa të kundraligjshme në vlerën 62 miliardë lekë, paga shpërblime 264 milionë lekë, procedura prokurimi, kontrata, zbatim punimesh 3.5 miliardë lekë si edhe shpenzime operative 4.7 miliardë lekë.
Për këto shkelje KLSH ka rekomanduar 66 propozime për ndryshime ligjore, në kuadrin e brendshëm rregullativ të institucioneve me synim forcimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe rritjen e efektivitetit të përdorimit të fondeve publike.
Për rastet e shkeljeve penale Prokurorisë i janë përcjellë gjithashtu edhe 34 kallëzime ndaj personave përgjegjës. Në total Kontrolli i Lartë i Shtetit ka realizuar 102 auditime gjatë 9 mujorit.