Ballina Aktualitet Tiranë, Këshilli Mbikqyrës i BSH miraton dy vendime

Tiranë, Këshilli Mbikqyrës i BSH miraton dy vendime

Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar sot dy vendime.

Strategjinë Afatmesme të Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë për periudhën 2019-2021 dhe buxhetin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2019 dhe buxhetin orientues afatmesëm për vitet 2020-2021.

Në njoftimin për shtyp thuhet se “Strategjia Afatmesme e Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë 2019-2021 shpalos ambicien e Bankës për periudhën trevjeçare në vijim. 

Kjo strategji siguron mbështetjen e duhur programatike për Buxhetin Orientues Afatmesëm për vitet 2020 dhe 2021″.

Po ashtu strategjia synon t’u japë një përgjigje proaktive sfidave të mjedisit ku operon Banka e Shqipërisë; të rrisë bashkëpunimin brenda institucionit; të nxisë përdorimin efektiv dhe eficient të burimeve; si dhe të promovojë transparencën dhe llogaridhënien publike.

Në lidhje me buxhetin në njoftim thuhet se “ai garanton përmbushjen e objektivave strategjike të Bankës së Shqipërisë të parashikuara në Strategjinë e saj Afatmesme të Zhvillimit. Në hartimin e tij janë mbajtur parasysh situata aktuale në tregjet ndërkombëtare financiare, zhvillimet ekonomike dhe financiare brenda vendit, shpenzimet korrente dhe ato kapitale të domosdoshme për miradministrimin e aktiveve dhe burimeve njerëzore”.