Ballina LAJME Tiranë, ish-ministrja Klajda Gjosha: Projektbuxheti 2019, buxheti i dëbimit të trurit

Tiranë, ish-ministrja Klajda Gjosha: Projektbuxheti 2019, buxheti i dëbimit të trurit

Ish-ministrja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Klajda Gjosha, i ka parë me sy kritik prioritetet e parashikuara për buxhetin e vitit të ardhshëm. Në një reagim në rrjetet sociale, Gjosha thekson si nevojë urgjente për t’u fokusuar ndalimin e largimit të shqiptarëve drejt vendeve të zhvilluara, e sidomos të profesionistëve, që ajo i quan “truri” i shoqërisë.

“Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur dje një nevojë jetike që ka sot Shqipëria, siç është ndalimi i emigracionit dhe lidhja e drejtpërdrejtë me prioritetet e buxhetit të vitit të ardhshëm. Ne po përballemi prej disa vitesh me fenomenin e largimit në masë të qytetarëve drejt vendeve më të zhvilluara. Disa nga pamundësia ekonomike, shumë prej tyre nga depresioni i thellë shoqëror në të cilën po kalon vendi, por ajo çka është më e dhimbshme është largimi i trurit, i shtresës së mesme, profesionistëve dhe rinisë. Nëse buxheti i 2019 do të kishte një prioritet, ai duhet të ishte me patjetër ‘‘Buxheti i rikthimit të Trurit’’ por që fatkeqësisht është “Buxheti i Dëbimit të Trurit”,” – ka thënë sot ish-ministrja Klajda Gjosha.