Ballina Aktualitet Tiranë, presidenti Ilir Meta: ”Emigracioni është plaga e shoqërisë shqiptare”

Tiranë, presidenti Ilir Meta: ”Emigracioni është plaga e shoqërisë shqiptare”

Dita e Pavarësisë ka mbledhur mbrëmjen e sotme në Pallatin e Brigadave, politikanë, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe diplomatë.

Gjatë fjalës ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, Presidenti Ilir Meta u shpreh se emigracioni është plaga e shoqërisë shqiptare, ndërsa kërkoi dialog mes shumicës dhe opozitës.

“Nëse historia në mënyrë të padrejtë tentoi të na ndante, populli shqiptar arriti që të mbijetonte dhe të afirmohet. Kohët kanë ndryshuar, por parimet që lanë pas që nga Skënderbeu dhe Ismail Qemali janë apeluese dhe aktuale edhe sot. Kthimi i Shqipërisë në familjen Europiane është një mision i papërmbushur. Ne shqiptarët jemi ndër popujt me nivelin më të lartë të emigracionit në botë, por ia kemi dalë të ruajmë traditat.
Duhet të bëjmë përpjekje që Shqipëria të mos plaket nga emigracioni dhe bashkë me të edhe aftësinë ripërtësitëse, kjo është një kambanë alarmi për klasën politike. Sfidat aktuale kërkojnë klimë bashkëpunuese dhe ndjejë uniteti. Shqiptarët kanë nevojë për paqe sociale. Duhet reflektim nga të gjithë dhe siguri juridike për pronën. Funksionimi i institucioneve të pavarura kërkon dialog mes shumicës dhe opozitës” – deklaroi ai.

Në përfundim të fjalës kreu i shtetit ka trokitur gotat me kryeministrin Rama, bashkëshorten e tij Linda, kreun e parlamentit Gramoz Ruçi, por edhe të ftuarit e tjerë që ishin të pranishëm.

Në kuadër të 106 vjetorit të Pavarësisë në të gjithë vendin u zhvilluan disa aktivitete, ndërsa epiqendra ishte në Vlorë. Si sot, 106 vite më parë, më 28 nëntor 1912, u shpall Pavarësia e Shqipërisë në Vlorë.