Ballina Aktualitet Tiranë, hetimi për “DH Albania”, po verifikohen edhe institucionet përgjegjëse

Tiranë, hetimi për “DH Albania”, po verifikohen edhe institucionet përgjegjëse

Hetimet për skandalin e falsifikimeve në tenderin e “Unazës së re” dhe atë të linjës Burrel-Peshkopi nuk përfshijnë vetëm kompaninë mashtruese “DH Albania”, por edhe institucionet shtetërore. Burime nga Prokuroria e Tiranës kanë nisur verifikimet në rang hetimor, edhe për Autoritetin Rrugor Shqiptar, si dhe Operatorin e Transmetimit.

Sipas Prokurorisë, të dyja institucionet do të hetohen nëse kanë patur përgjegjësi për të verifikuar informacionin e falsifikuar të paraqitur nga kompania “DH Albania”. Për këtë do të merren në pyetje, veç përfaqësuesve të kompanisë, edhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në të dy tenderat, si dhe personat që janë marrë me mbledhjen dhe administrimin e dokumentacionit.

Paralelisht, Prokuroria e Tiranës ka nisur këtë të premte letërporosinë për autoritetet amerikane të Delaware-t, për të verifikuar në rrugë zyrtare dokumentacionin e paraqitur nga kompania “DH Albania”, si dhe për informacione të tjera shtesë.