Ballina Aktualitet Tiranë, gjyqtari Edmond Islamaj para KPA

Tiranë, gjyqtari Edmond Islamaj para KPA

Ditën e sotme rreth orës 09:30, gjyqtari i Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj do të dalë para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit pas ankimimit të Komisionerit Publik për t’u përballur me vendimin.

Trupa gjykuese e Kolegjit të Posacëm të Apelimit përbëhet nga Luan Daci kryesues, Sokol Çomo relator dhe Albana Shtylla, Ina Rama, Rezarta Schuetz, anëtarë.

Në relacionin që Komisioneri Publik i dërgoi KPA-së më 12 korrik kur bëri ankimimin për Islamajn, thuhej se verifikimet për gjyqtarin Islamaj nuk ishin të plota. Në listën e verifikimeve të paplota komisioneri publik përmendte transferta parash brenda e jashtë vendit si dhe dyshimet për një apartament e një dyqan në Vlorë, të cilat nuk janë hetuar plotësisht nëse lidhen apo jo me gjyqtarin Islamaj dhe bashkëjetuesen e tij S.T.

Islamaj do të hetohet për udhëtimet jashtë vendit që ka zhvilluar bashkë me gruan e tij dhe mënyrën sesi prindërit e gjyqtarit kanë krijuar pasuritë e tyre, si dhe tokën e blerë prej tij me një cmim 25 herë më të ulët nga tregu.