Ballina Aktualitet Tiranë, Gjykata e Apelit pranon kërkesën e Izet Haxhisë, rihapet dosja “Hajdari”...

Tiranë, Gjykata e Apelit pranon kërkesën e Izet Haxhisë, rihapet dosja “Hajdari” (VIDEO)

Izet Haxhia, i dënuari si bashkëpunëtor në vrasjen e deputetit të Partise Demokratike, Azem Hajdari, ka fituar betejën e parë me drejtësinë. Gjykata e Apelit pranoi kërkesën për rishqyrtimin e vendimit për dënimin e tij me 25 vite burg dhe i dha të drejtën të dëgjohet.

Në argumentimin e tij, trupi gjykues u mbështet në një vendim të vitit 2012 të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që përcaktoi se ishte shkelur e drejta e Haxhiajt për t’u mbrojtur gjatë gjykimit, në përfundim të të cilit ai ishte shpallur fajtor.

Avokati mbrojtës, nga ana e tij, shpjegoi se vendimi e kthen çështjen për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë, ku do të merret në shqyrtim nga një trupë tjetër gjykuese nga ajo që ka dhënë vendimin. Sa i përket provave të reja që Haxhia mund të sjellë, avokati i tij ishte i qartë se në gjyq do të thirrej për të dëshmuar edhe lideri i Partisë Demokratike në atë kohë, Sali Berisha.

Izet Haxhia nuk e ka pranuar kurrë akuzën e bashkëpunimit në vrasjen e Azem Hajdarit pranë selisë së Partisë Demokratike, më 12 shtator të vitit 1998. Haxhia u ekstradua për në Shqipëri në maj të viti 2018, pas disa viteve qëndrimi në Turqi.