Ballina Aktualitet Tiranë, falet Bajrami i Fitrit, mijëra besimtarë në Sheshin “Skënderbej”

Tiranë, falet Bajrami i Fitrit, mijëra besimtarë në Sheshin “Skënderbej”

Besimtarët myslimanë si në vendin tonë, ashtu edhe në të gjithë botën kremtojnë sot festën e Bajramit të Fitrit, kremtim ky që nis me faljen kushtuar Zotit. Në Tiranë, pas ditëve të agjërimit, dhjetra mijëra njerëz u mblodhën së bashku në Sheshin “Skënderbej” për të bërë faljen e Bajramit të Fitrit.

Gjatë fjalës së tij të rastit, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, u lut që Zoti ta begatojë, ta mbushë me mirësi dhe paqe këtë vend. Ai tha se sot triumfoi vlera e lartë dhe u la pas e keqja.

“Sot triumfuan edhe njëherë vlerat e larta dhe u lanë pas e keqja dhe e padëshiruara, – tha Spahiu. – Besimtarët demonstruan gjatë këtij muaji të mirën, virtytin, dashurinë, respektin, thjeshtësinë, vëllazërinë, bujarinë dhe lanë pas vesin, urrejtjen, përçmimin, mendjemadhësinë dhe koprracinë, sepse ishin mirësitë e Ramazanit që ndriçuan mendjen e besimtarit në mënyrë që të heqë dorë nga çdo e keqe.”

Bajrami i Fitrit është festa, e cila zhvillohet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Ai quhet i tillë për shkak se, në besimin islam, fitri përbën të mirat materiale, kryesisht ushqime, që myslimanët shpërndajnë, që gjithkush të ketë mundësinë ta festojë sa më bukur këtë ditë. Në thelb, Bajrami i Firtit është dita kur besimtarët theksojnë edhe më tepër vëmendjen ndaj të tjerëve.