Ballina Aktualitet Tiranë, emërimet e reja, shkarkohet drejtori i Policisë së Shtetit në Vlorë

Tiranë, emërimet e reja, shkarkohet drejtori i Policisë së Shtetit në Vlorë

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtuesi madhor Ardi Veliu, me miratimin e ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj, ka shkarkuar drejtuesin e parë Gentian Shehaj nga detyra e drejtorit të Policisë së Shtetit në Qarkun e Vlorës.

Në vend të tij është emëruar drejtuesi Artion Duka, i cili deri dje mbante detyrën e drejtorit të Policisë së Shtetit në Qarkun e Beratit.

Këto janë ndryshimet e para të rëndësishme në nivel drejtuesish në Policinë e Shtetit pas emërimit të Sandër Lleshajt në detyrën e ministrit të brendshëm. Raportohet se në Policinë e Shtetit janë projektuar edhe lëvizje të tjera, të cilat pritet të zyrtarizohen së shpejti.

Ajo që ka tërhequr vëmendjen në emërimin e drejtorit të Policisë së Shtetit në Qarkun e Vlorës është fakti se drejtues Artion Duka, në vitin 2016, ka qenë drejtor i Forcave Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policicë së Shtetit, kur, bashkë me një punonjës tjetër të Policisë së Shtetit, u arrestuan pasi akuzoheshin për përgjime të paligjshme.