Ballina Aktualitet Tiranë, dorëhiqet Taulant Muka vetëm pas 15 ditësh në detyrë

Tiranë, dorëhiqet Taulant Muka vetëm pas 15 ditësh në detyrë

Rreth dy javë pas emërimit në detyrën e zëvëndësministrit të arsimit, sportit dhe rinisë, Taulant Muka ka dhënë dorëheqjen. Mediat kanë bërë publike letrën që Muka i ka dërguar kryeministrit Edi Rama, me të cilën njofton dorëheqjen e parevokueshme.

“Për arsye etike, morale dhe profesionale, dhe të papajtueshmërisë që unë kam me modelin e punës të aplikuar në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ju paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga posti i zëvendësministrit të arsimit, sportit dhe rinisë,” – thuhet mes të tjerash në letrën e largimit të tij nga puna.

Afro një muaj më parë, Taulant Muka u bë personazh mediatik, teksa akuzoi publikisht Ervin Demon, në atë kohë zëvendësministër i arsimit, sportit dhe rinisë, për plagjiaturë të botimeve të tij shkencore. Kryeministri Rama, i cili dallohet për vendime të tilla, shkarkoi Demon dhe në vend të tij emëroi pikërisht Mukën, por ky i fundit nuk i rezistoi gjatë punës së re.