Ballina Aktualitet Tiranë, djegia e mandateve, ambasadorët Soreca dhe Schutz i shkojnë Bashës në...

Tiranë, djegia e mandateve, ambasadorët Soreca dhe Schutz i shkojnë Bashës në zyrë

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susane Schutz si dhe ambasadori i BE në Tiranë Luigi Soreca kanë zhvilluar një takim me kreun e PD, Lulzim Basha në selinë blu.
Fillimisht Basha ka pritur në takim ambasadoren gjermane dhe më pas edhe ambasadorin e BE në Tiranë. Takimi mes liderëve vjen pas vendimit për djegien e mandateve nga opozita.

Sot në orën 17:00 PD ka thirrur Këshillin Kombëtar, i cili do të jetë organi përfundimtar që do të vendosë për lënien ose jo të mandateve.

Ditën e djeshme PD mblodhi Kryesinë e cila zgjati rreth 2 orë. Pas mbledhjes së kryesisë, Basha foli për mediat, ku njoftoi se Kryesia ka vendosur djegien e mandateve.

“Mbledhja e Kryesisë së PD sapo përfundoi me votë unaime u miratua vendimi për djegie mandatesh,” – tha Basha.

Kryedemokrati Basha shtoi se djegia e mandateve nuk është një qëllim në vetvete, por fillimi i një sfide e cila synon të garantojë një qeveri për njerëzit, e jo për krimin.

“Djegia e mandateve nuk është qëllim në vetvete. Djegia e mandateve është alternativa e fundit që i është lënë opozitës që të arrijë një qëllim madhor. Të shembë një qeveri të krimit dhe t’i japim shqiptarëve një qeveri të njerëzve, për njerëzit dhe nga njerëzit,” – tha Basha.