Ballina KULTURË Tiranë, ditari i vajzës që vazhdon të trondisë botën, rikthehet për publikun

Tiranë, ditari i vajzës që vazhdon të trondisë botën, rikthehet për publikun

Drama “Ditari i Ana Frank” rikthehet këtë javë nga e enjtja në të diel në skenën e Teatrit Metropol. Vepra me regji nga Armela Demaj ka bërë bashkë aktorë të njohur.
Historia e vajzës e cila me ditarin e saj vazhdon të tronditë botën vjen në skenë me aktorët Vanesa Guri, Myzafer Zifla, Klea Konomi, Ketjona Pecnikaj, Bruno Shllaku, Marjana Kondi, Roerd Toçe, Marius Dhrami, Edvin Mustafa, Paola Xhafa.

Teksti fitues i çmimit “Pulitzer”, shkruar nga Frances Goodrich dhe Albert Hackett i solli publikut një copëz reflektive nga jeta e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ana Frank filloi të shkruante në ditarin e saj që në moshën trembëdhjetëvjeçare, nga 12 qershori i vitit 1942 deri më 1 gusht 1944. Myzafer Zifla vjen në rolin e Otto Frank tek “Ditari i Ana Frank”.

Z. Frank, babai i sjellshëm dhe praktik i Anës, është gjithashtu dhe kreu i “familjes papafingo”. Qetësia dhe durimi i tij janë një pasuri në papafingon e ngushtë dhe një ngushëllim për Anën, e cila është shumë e lidhur me të. Mes aktorëve, Klea Konomi është në rolin e Edith Frank.

Zonja Frank është mamaja nervoze dhe e rezervuar e Anës të cilën e do shumë, por dëshiron dhe e këshillon që ajo të jetë më serioze dhe e sjellshme si motra e saj Margot. Ana Frank në të vërtetë, nuk kishte ndonjë mik të afërt me të cilin mund të fliste, ndaj në ditarin e saj i shkruan për të gjitha përjetimet e veta një shoqeje imagjinare, me emrin Kiti.

Këto shënime, ku ajo nxirrte dufin e atyre ditëve të zymta dhe të rënda, ishin shkruar vetëm për Anën, deri në pranverën e 1944-ës, kur Bolkenshtajni, atëherë ministër i Arsimit në mërgim, tha në radio se të gjitha dëshmitë e vuajtjeve të popullit hollandez gjatë pushtimit gjerman, do të mblidheshin dhe do të botoheshin pas mbarimit të luftës.”.