Ballina Aktualitet Tiranë, Dita Kombëtare e Jetimëve, presidenti Meta: Kujdesi ndaj tyre të jetë...

Tiranë, Dita Kombëtare e Jetimëve, presidenti Meta: Kujdesi ndaj tyre të jetë i përhershëm (VIDEO)

Me rastin e Ditës Kombëtare të Jetimëve, presidenti i Ilir Meta ka pritur dhjetra fëmijë pa kujdes prindëror nga qytete të ndryshme të vendit. Presidenti Meta bëri apel për forcimin e vlerave të familjes, për të forcuar edhe më shumë luftën kundër varfërisë, si një nga shkaqet kryesore të dobësimit të lidhjeve familjare dhe të emigracionit që prodhojnë pasoja me të cilat ndeshen në mënyrë të padrejtë fëmijët.

“Shohim se ka një përparim mjaft të rëndësishëm, por kjo është një sfidë që nuk mbaron dhe për ta përballuar atë më mirë, ne duhet të adresojmë shkaqet e reja të pasjes së fëmijëve pa kujdesin prindëror, – tha presidenti Meta. – Apeloj edhe një herë për forcimin e vlerave të familjes, ashtu sikurse duhet të luftojmë më shumë kundër varfërisë, sepse është një nga shkaqet e dobësimit të lidhjes në familje, të divorceve, dhe të emigracionit që prodhojnë pasoja me të cilat ndeshen në mënyrë të padrejtë fëmijët.”

Në këtë takim të zhvilluar në mjediset e Presidencës, kreu i shtetit falenderoi edhe edukatorët dhe mësuesit e shumtë, që çdo ditë kujdesen për fëmijët jetimë, ndërkohë që një falenderim i veçantë i shkoi edhe Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve.