Ballina Aktualitet Tiranë, Dita e Rinisë, Basha: Kuvendi do të pastrohet nga krimi ose...

Tiranë, Dita e Rinisë, Basha: Kuvendi do të pastrohet nga krimi ose do të rrëzohet

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është ndalur tek të gjitha zhvillimet në vend gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin e organizuar për nder të 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë, të shpallur për nder të Lëvizjes Studentore të vitit 1990. Ai gjithashtu ka formuluar ultimatumin e opozitës për çlirimin e Kuvendit nga krimi.

“Mirënjohja jonë i takon Azem Hajdarit, që u bë shpirti i protestës, – tha lideri i demokratëve Lulzim Basha. – Studentët u çuan për kushte ekonomike, por kuptuan se pa liri e demokraci s’mund të ketë zgjidhje, ndaj kërkuar pluralizmin politik.”

Duke iu referuar gjendjes aktuale të vendit, Basha shtoi: “Ndodhemi sot në zemër të Qytetit Studenti ku lindi demokracia. Për vite shqiptarët ishin në errësirë, endeshin në izolim, burgosje, internime vrasje pa gjyq, që kishte shndërruar qytetarët në më të paditurit e Evropës.” “Por, nga ky shesh studentët hapën dyert, – shtoi më tej kryetari i Partisë Demokratike. – Edhe sot shqiptarët ndihen të zhgënjyer, të braktisur. Me qindra e mijëra studentë janë në kushte mesjetare, pa dushe, me krevate marinarësh, në dhoma të vogla. Me kushte të mjerueshme me mungesa totale për financimin e tyre dhe me tarifa që rriten.”

Kreu i Partisë Demokratiek ka dhënë edhe një ultimatum në aktivitet. “Ultimatumi ynë politik, si studentët e ‘90, si dëshirë e aspiratë e çdo shqiptari, – ka theksuar Basha. – Parlamenti shqiptar ose do pastrohet nga krimi dhe t’iu kthehet qytetarëve, ose do të rrëzohet, do rrëzohet, do rrëzohet. Ta çlirojmë qeverinë shqiptare nga krimi dhe ta kthejmë nëpërmjet votës shërbëtore të qytetarëve dhe jo sunduese.”