Ballina Aktualitet Tiranë, dita e 13, studentët sot protestë masive përpara Kryeministrisë

Tiranë, dita e 13, studentët sot protestë masive përpara Kryeministrisë

Studentët e universiteteve publike në vend kanë paralajmëruar sot një protestë masive përpara Kryeministrisë. Ashtu sikur edhe dje, ata i bënë thirrje qytetarëve shqiptarë që të jenë të pranishëm në këtë protestë paqësore. Pavarësisht thirrjeve, studentët kanë nënvizuar faktin se kauza e tyre nuk është politike, ndërsa shtojnë se do të vazhdojnë protestën e tyre deri në plotësimin e 8 kërkesave pa dialog.

Ndonëse partitë politike, si në rastin e LSI, u kanë bërë thirrje të rinjve të tyre që të lënë kartat e anëtarësimit dhe t’i bashkohen protestës, studentët kanë pohuar se tubimi nuk do të marrë ngjyrime politike.

Ditën e sotme po ashtu është paralajmëruar edhe një takim në Rektorat me studentët, ndërsa nuk dihet nëse këta të fundit do të shkojnë. Ndonëse prej 13 ditësh të rinjtë që vazhdojnë arsimin e lartë në Tiranë, dhe jo vetëm, protestojnë, kryeministri Edi Rama nëpërmjet deklaratave për mediat apo dhe postimeve në rrjetet sociale nuk lëshon pe, duke i bërë të ditur të rinjve se kërkesat e tyre do të zgjidhen vetëm përmes dialogut.