Ballina Aktualitet Tiranë, Dita Botërore e Mjedisit, presidenti Meta pret organizatat ambjentaliste

Tiranë, Dita Botërore e Mjedisit, presidenti Meta pret organizatat ambjentaliste

Me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit, presidenti Ilir Meta ka pritur sot në një takim ambientalistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të drejtuar nga ambientalisti Sazan Guri. Në takim ishin të pranishëm edhe një grup nxënësish të shkollave të ndryshme Tiranës.

“Shqipëria është e bekuar me pasuri e bukuri natyrore të jashtëzakonshme dhe me një biodiversitet të larmishëm, që fatkeqësisht po shfrytëzohen dhe shkatërrohen egërsisht në dëm të shëndetit dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, – ka theksuar presidenti Meta. – Triumfi i betonit mbi hapësirat e gjelbërta, keqmenaxhimi i mbetjeve urbane, masakrat në pyje e lumenj dhe ndotja e frikshme e ajrit janë kambana alarmi që duhet të na zgjojnë të gjithëve.”

Me rastin e kësaj dite, Presidenti i Republikës pati edhe një apel për ndryshimin e përqasjes ndaj mjedisit dhe pasurive natyrore. “Duhet t’i themi stop shkatërrimit të mjedisit, – tha presidenti Meta. – Secili prej nesh dhe të gjithë së bashku duhet të kontribuojmë për të mbrojtur këtë dhuratë që na ka falur Zoti, pa të cilën vetë ekzistenca jonë dhe e gjeneratave të ardhshme është e pamundur.”