Ballina LAJME Tiranë, deputetet e LSI, letër drejtuar ministrit Gjiknuri lidhur me ndërtimin e...

Tiranë, deputetet e LSI, letër drejtuar ministrit Gjiknuri lidhur me ndërtimin e unazës së re

Deputetët e LSI, Endrit Braimllari, Kejdi Mehmetaj dhe Floida Kërpaçi i kanë dërguar një letër Ministrit të Energjetikës, Damian Gjiknurit, drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qëndro, si dhe drejtorëve të tjerë që kanë vendimmarrje për ndërtimin e projektit të Unazës së re.

Letra e plotë:
Si deputetë përfaqësues të qarkut Tiranë prej më shumë se 28 ditësh kemi ndjekur nga afër situatën e krijuar me banorët e Unazës së Re lidhur me prishjen e godinave që preken nga zgjerimi i segmentit rrugor në zonën e Astirit dhe pjesën tjetër të Unazës së Madhe të Tiranës. Banorët janë thellësisht të shqetësuar mbi fatin e pronës së tyre privatë dhe përveç konfrontimit në terren më punonjësit e institucioneve të ndryshme publike shprehen se nuk kanë asnjë informacion zyrtar mbi prishjet apo shpronësimet. Duke marrë parasysh shqetësimin e lartë publik dhe numrin e madh të banorëve që preken nga ky projekt, kërkojmë nga ana juaj informacion të detajuar për sa më poshtë.

1. Kush e ka hartuar projektin përfundimtar të zgjerimit të segmentit rrugor në zonën e Astirit dhe gjithë pjesën e Unazës së Madhe të Tiranës? Kush e ka kërkuar hartimin e këtij projekti? A është miratuar projekti përfundimtar konform ligjeve të Republikës së Shqipërisë? Sa është vlera totale e projektit dhe a është bërë një studim fizibiliteti? Ju lutem të na vendosni në dispozicion projektin të shoqëruar me të gjithë detajet teknike.
2. A janë zhvilluar konsulta publike përpara miratimit të projektit përfundimtar nga institucionet shtetërore përgjegjëse?
3. Sa është numri i pronave private që janë përllogaritur të shemben për të bërë të mundur realizimin e këtij projekti? Sa është sipërfaqja totale e këtyre pronave?
4. Sa prej këtyre pronave private janë të pajisura me çertifikatë pronësie dhe sa jo (ju lutem të na vini në dijeni numrin e objekteve shoqëruar me sipërfaqen totale të tyre). Sa prej objekteve janë në proçes legalizimi?
5. A ka filluar proçesi i shpronësimit për objektet e pajisura me çertifikatë pronësie? A është miratuar proçesi i shpronësimit për objektet e pajisura me çertifikatë pronësie? A është miratuar VKM dhe VKB përkatëse? Sa është fondi i planifikuar për këtë qëllim?
6. Si janë trajtuar nga Aluizni ndërtesat që preken nga ndërtimi i kësaj vepre? A janë vlerësuar apo trajtuar më ndonjë akt shkresor përjashtimi apo kualifikimi objektet në proçes legalizimi, sipas ligjit?

Ju lutem na vini në dispozicion të gjithë proçedurat e ndjekura deri në proçedurën e prokurimit publik. Gjithashtu informacionin zyrtar të shkëmbyer ndërmjet ARSH-së dhe Aluiznit lidhur me këtë projekt. Përgjigjen tuaj kërkojmë që ta shoqëroni me dokumenta zyrtarë.