Ballina Aktualitet Tiranë, Danielsson-kryeministrit Rama: Reformat, në qershor na duhen prova bindëse

Tiranë, Danielsson-kryeministrit Rama: Reformat, në qershor na duhen prova bindëse

Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Zgjerim në Bashkimin Evropian, Christian Danielsson, i cili erdhi në Tiranë pas krizës politike mes palëve, ku opozita vendosi të djegë mandatet, është takuar sot në Tiranë me krerët e politikës, në kërkim të gjetjes së një zgjidhje për krizën.

Ai shprehet përmes një statusi në Twitter se është takuar me kryeministrin Edi Rama me të cilin ka zhvilluar një bisedë shumë të hapur. Danielsson sqaron gjithashtu se i ka kërkuar prova bindëse Kryeministrit për përparimin me reformat, që në qershor BE të vendoset në favor të Shqipërisë.

“Një bisedë shumë e hapur me kryeministrin @ediramaal për situatën aktuale politike dhe reformat. # Shqipëria duhet të vazhdojë përparimin në të gjitha fushat e reformave, dhe në veçanti luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për të na bindur në qershor, kur 🇪🇺 # Shtetet Anëtare të BE do të shqyrtojnë përparimin,” – shkruan Danielsson në postimin e tij.

Gjithashtu mësohet se i dërguari i BE do të zhvillojë edhe një takim me kryedemokratin Lulzim Basha.