Ballina Aktualitet Tiranë, Dako mund të rikandidojë, KQZ rrëzon kërkesën e Partisë Socialiste

Tiranë, Dako mund të rikandidojë, KQZ rrëzon kërkesën e Partisë Socialiste

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve e ka lënë të hapur mundësinë e kandidimit për kryetar të njësive të qeverisjes vendore edhe për personat që deri tani kanë fituar tre mandate.

Ishte Partia Socialiste ajo që i kërkoi Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve që të mos lejonte më kandidimin e kryebashkiakëve me tre mandate. Kjo gjë do të linte jashtë garës së qershorit të paktën tetë drejtues aktualë të pushtetit vendor. Këtu bëhet fjalë për socialistët Vangjush Dako në Durrës, Qazim Sejdini në Elbasan, Gëzim Topçiu në Maliq, Adriatik Zotkaj në Poliçan dhe Shuaip Beqiri në Konispol. Ndërkohë, edhe demokratët do të humbisnin Xhelal Mziun në Kamëz dhe Fiqiri Ismailin në Vorë.

Sipas përfaqësuesve të opozitës në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, ligji nuk ka fuqi prapavepruese dhe numërimi për limitin e tre mandateve duhet të nisë nga viti 2015.

Për miratimin e vendimit nevojiteshin pesë vota pro dhe kundërshtimi i kryetarit Klement Zguri bëri që propozimi të binte. Kërkesa e Partisë Socialiste mori vetëm katër vota pro, të pamjaftueshme që kërkesa të kthehej në vendim.