Ballina Aktualitet Tiranë, botimi i përgjimeve nga “Bild”, Berisha: Rama dhe narkoshteti i tij...

Tiranë, botimi i përgjimeve nga “Bild”, Berisha: Rama dhe narkoshteti i tij u shpartalluan

Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas publikimit nga ana e gazetës gjermane Bild të disa bisedave telefonike, ku persona të inkriminuar bisedojnë me drejtues vendorë të Partisë Socialiste në Shijak dhe Durrës për blerjen e votave, ka nënvizuar në një postim të tijin në Facebook se kjo ishte shpartallimi i kryeministrit Edi Ram.

“Gazeta gjermane Bild, më e madhja në Europë, shpartallon Ramën dhe narkoshtetin e tij, – thekson Berisha. – Ajo publikon për herë të parë përgjimet të cilat faktojnë se bosi i mafies dhe vrasësi Astrit Avdyli cakton deputetët dhe fitoren e tyre.”

Berisha vijon me publikimin në Facebook të përgjimeve, ku del i përfshirë edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Sa i përket këtij të fundit, ai ka qenë i implikuar edhe më herët në një bisedë të drejtpërdrejtë telefonike me Astrit Avdylin, bisedë kjo që edhe është publikuar në media.

Ndërkohë, vetë kryebashkiaku durrsak Dako, gjatë një reagimi të tij në një prej mediave televizive në vend, ka zvogëluar rëndësinë e ngjarjes, duke e quajtur atë vetëm çështje mediatike.

“I pashë dhe i dëgjova përgjimet, – ka thënë Dako. – Për mua janë diçka absurde, sepse unë jam kryetar bashkie dhe telefonin do t’ia hap çdo qytetari. Nuk kam asnjë koment. Kjo është çështje mediatike.”

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar nga gazetari gjerman Peter Tide, tabloidi Bild publikoi gjashtë përgjime të veçanta të bisedave telefonike mes Astrit Avdylit, tashmë i arrestuar dhe i dyshuar si kreu i një organizate kriminale në zonën e Shijakut, me kryebashkiakun durrsak Vangjush Dako dhe zyrtarëve të tjerë të Partisë Socialiste, përfshirë këtu me kryetarin e Bashkisë së Shijakut, Ardian Kokomani, kandidatin socialist për Bashkinë e Shijakut, Elton Arbana etj.