Ballina Ekonomi / Biznes Tiranë, biznesi amerikan ankohet për vonesat në rimbursimin e TVSH

Tiranë, biznesi amerikan ankohet për vonesat në rimbursimin e TVSH

Biznesi amerikan në Tiranë është ankuar për vonesat në rimbursimin e TVSH, por edhe për informalitetin në ekonominë shqiptare. Në një takim me administratën tatimore, ata kërkuan marrjen e masave për zgjidhjen e këtyre problemeve me të cilat përballen prej vitesh.

Alketa Uruçi, drejtuesja e komitetit të taksave dhe doganës në Dhomën Amerikane të Tregtisë, tha se “rimbursimi i TVSH apo informaliteti janë çështje që janë ngritur dhe më parë nga ana e Dhomës Amerikane të Tregtisë.” “Pavarësisht përmirësimit të punës nga ana e administratës tatimore, është e qartë se biznesi kërkon maksimumin, kërkon gjithmonë përmirësim nga viti në vit. Çështja që lidhet me informalitetin ka lidhje me faktin që ka ende tatimpagues të cilët abuzojnë, nuk lëshojnë fatura tatimore për shitjet që kryejnë,” – ka thënë Uruçi.

Nëndrejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Xhavit Curri, ka pranuar vonesat në rimbursimin e TVSH, ndërsa premtoi se të gjitha detyrimet do të shlyhen brenda pak javëve. “Shpreh keqardhjen që në 2018 kemi krijuar një vonesë që shkon në rreth gjashtë muaj nga momenti i miratimit deri në momentin e dhënies së shumës për rimnbursim, kjo është kthyer në një shqetësim të madh për administratën tatimore,” – tha Curri.

Detyrimet e prapambetura janë një shqetësim që janë ngritur edhe nga institucionet ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.