Ballina Aktualitet Tiranë, Basha reflekton për listat: Të heqim maliqësit, të fusim intelektualët

Tiranë, Basha reflekton për listat: Të heqim maliqësit, të fusim intelektualët

Krahas qytetarëve, Lulzim Basha ka ftuar edhe intelektualët të bëhen pjesë e aksionit opozitar për largimin e Edi Ramës. Kreu demokrat, para artistëve shfaqi shenja reflektimi për gabimin e tij për kandidatët, të cilët i futi në lista dhe tani po ulen në Kuvend.

“Një reflektimi të thellë edhe brenda opozitës për sa i përket misionit tonë në kuptimin afatgjatë, që është në vlerësimin tim misioni i dhënies fund të përfaqësimit të interesave të publikut, nga njerëz që nuk e meritojnë dhe e shpërdorojnë besimin publik. E që në ballë të ndryshimit që duam të gjithë dhe presin të gjithë Shqipëria, të mos jenë maliqërit, por të jetë elita intelektuale,” – tha Basha.

Në tryezën me përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Basha denoncoi se pas projektit të godinës së re fshihet afera e pastrimit të parave të pista.

“Kemi prova të mjaftueshme se afera e Teatrit Kombëtar është në thelb një aferë e pastrimit të parave të pista, të kokainës spanjolle”, tha Basha.

Kompozitori Limoz Dizdari, njëherësh ish-deputet socialist, zbuloi debatin që pati me Edi Ramën në kohën kur ai ishte ministër Kulture për prishjen e Teatrit.

“Unë e pyesja me natyrshmëri se me ç’parà do ta bënte, sepse bie miu e thyente kokën. Ai më tha se i kishte premtuar qeveria greke dhe kryeministri i Greqisë se do t’i jepte lekë,” – tha Dizdari.

Përfaqësues të aleancës dhe artistë i kërkuan kreut demokrat më shumë vëmendje, si dhe përfaqësim të popullit në vendimmarrje.