Ballina Aktualitet Tiranë, banorët e “Unazës së Re” sërish protestë, dita e 93

Tiranë, banorët e “Unazës së Re” sërish protestë, dita e 93

Banorët e Astirit kanë dalë sërish sot në protestë, në kundërshtimin e vendimit të qeverisë për prishjen e banesave mbi ndërtimin e Unazës së Madhe.

Me thirrjet ‘Unaza e Bashkuar ka për të fituar’, ‘Jemi të gjithë për një qëllim’, ‘Taksa jonë, shtëpija jonë’, protestuesit e Unazës së Re në zonën e Astirit vazhdojnë protestën në ditën e saj të 93-të.

Banorët shprehen se në banesat e veta janë vet zot dhe jo oligarkët e qeverisë. Banorët e sfiduan kryebashkiakun Veliaj dhe i kërkuan që të vinte në zonën e Unazës së Re dhe të shikonte se si të gjithë banorët janë të pajisur me letra dhe tapi të shtëpive. Ata përshëndetën gjithashtu edhe kërkesën e presidentit të Republikës, Ilir Metës për anullimin e projektit të Unazës së Re, duke e cilësuar këtë gjë si një dritë jeshile për banorët.

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu ishte sërish me banorët dhe u shpreh se Veliaj i dha një projekt 60 milionë euro një narkotrafikanti si Bego, i cili do të ndryshonte edhe rrjedhën e Lanës dhe do të prishte banesat shumëvjeçare të banorëve të zonës së Astirit.