Ballina Aktualitet Tiranë, Banka e Shqipërisë: Performanca financiare mbetet e mirë

Tiranë, Banka e Shqipërisë: Performanca financiare mbetet e mirë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, si dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, zëvendësguvernatorja e Dytë, Natasha Ahmetaj dhe Tonin Kola, zhvilluan sot në Tiranë një takim informues, ku u njohën me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.

Në këtë takim, u diskutua mbi zhvillimet e fundit ekonomike dhe monetare, si dhe u mor informacion mbi; administrimin dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë; zbatimin e politikës monetare; mbarëvajtjen e sistemit bankar dhe financiar; dhe gjendjen e tregjeve të parasë dhe valutore.

Më tej, u vijua me prezantimin e analizës së sistemit bankar për tremujorin e tretë të vitit 2018, ku u vlerësua se gjatë kësaj periudhe, veprimtaria bankare u zgjerua, performanca financiare mbeti e mirë dhe sektori bankar qëndroi i mirëkapitalizuar e likuid.

Teprica e kredisë u rrit lehtë, ndërsa raporti i kredive me probleme ka rënë si ndaj një tremujori, ashtu edhe ndaj një viti më parë. Rezultatet e ushtrimit të provës së rezistencës përgjithësisht tregojnë që në skenarin bazë dhe të moderuar, treguesit e kapitalizimit paraqiten të qëndrueshëm.

Gjatë takimit nuk u morën vendime. Çështjet e planifikuara për vendimmarrje do të trajtohen në mbledhjet e ardhshme, atëherë kur Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë të ketë numrin e nevojshëm të anëtarëve për zhvillimin e mbledhjeve dhe marrjen e vendimeve përkatëse.