Ballina Showbiz Tiranë, arti kontemporan në kryeqytet, domethënia e skulpturës tek Zogu i Zi

Tiranë, arti kontemporan në kryeqytet, domethënia e skulpturës tek Zogu i Zi

Rreth dy javë më parë, në Tiranë, tek lulishtja e rrethrrotullimit të Zogut të Zi, u vendos skultura abstrakte e artistit durrsak Helidon Xhixha, e quajtur “Cosmic S”, e cila krijoi jo pak hamendësime lidhur me kuptimin e saj.

Duke lënë mënjanë bukurinë estetike dhe realizimin e veprës, shumë njerëz nuk arritën të përthithnin plotësisht domethënien e saj. Ndërkohë, askush tjetër përveç se krijuesit të saj nuk mund të na e shpjegonte më mirë. S-ja kozmike, sipas Xhixhës, konsiston në vënien kokë më kokë të dy piramidave, duke paraqitur kështu domethënien e shenjës së pafundësisë, infinitit në evolucionin kontemporan. “Ky stimul, ky emocion, më erdhi nga dinamizmi që ka Tirana gjatë evoluimit të   saj,” – është shprehur më tej skulptori.

Xhixha, gjithashtu, nuk ka lënë pa theksuar edhe faktin se çdo artist duhet të japë kontributin e tij, jo vetëm nëpër botë, për t’i dhënë vendit një pamje akoma edhe më të bukur për sa i përket artit.

Helidon Xhixha, i lindur dhe edukuar në Durrës, rrjedh nga një familje e njohur artistësh dhe prej vitesh ushtron artin e tij të skulpturës në Itali. Megjithatë, herë pas here, ai zgjedh të kontribuojë për vendlindjen, ku më parë ka qenë i pranishëm me veprat e tij edhe në Durrës.