Ballina Aktualitet Tiranë, ARRSH kallëzon kompaninë ”DH Albania” për falsifikim dhe mashtrim 

Tiranë, ARRSH kallëzon kompaninë ”DH Albania” për falsifikim dhe mashtrim 

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës kompaninë “DH Albania” për dy vepra penale: falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim. “DH Albania” është kompania që fitoi tenderin në ‘Lotin 1’ te Unaza e Re, por që më pas u pezullua, pasi nisën hetimet për falsifikim. ARRSH në padi thekson se kompania ka paraqitur dokumente të rreme. “Kompania “DH Albania” ka paraqitur dokumente të rreme në lidhje me të dhënat e shoqërisë mëmë Dunwell Haberman në SHBA, si aktin e themelimit të dorëzuar në QKB ku pretendon se është themeluar në 25 qershor në 1998, kur në fakt rezulton se data reale është në 25 qershor 2018 si edhe dokumente të tjera.

Institucioni jonë gjendet në kushtet e mashtrimit dhe falsifikimit të qartë të dokumenteve, veprime që dëmtojnë imazhin e institucionit dhe buxhetit të shtetit. Kërkojmë hetimin e kompanisë dhe vendosjen e personave përgjegjës përballë përgjegjësive ligjore”, – thotë ARRSH në padi. Pra kompania është themeluar vetëm pak muaj para fitimit të tenderit. Ndërkohë që kjo kompani po përmes dokumenteve të falsifikuara ka fituar edhe tenderin prej mbi 11 milionë eurosh të Operatorit të Sistemit të Transmetimit për linjën 220 kilovolt Burrel – Peshkopi, por që u pezullua menjëherë pas publikimit të lajmit.