Ballina Aktualitet Tiranë, arrestime për tenderat, në pranga ish-zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë

Tiranë, arrestime për tenderat, në pranga ish-zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë

Pas një hetimi të gjatë, në lidhje me procedurat e tenderimit në Ministrinë e Drejtësisë gjatë periudhës 2016-2017, Prokuroria e Tiranës ka nxjerre fletarreste për disa funksionarë dhe ish-funksionarë të këtij institucioni.

Hetimet ndaj 12 personave kanë të bëjnë me pesë procedura tenderimi, ndërsa dyshimet janë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe atë të shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tenderakater .

Në pranga kanë përfunduar katër persona, mes të cilëve ish-sekretarja e përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë, Juliana Hoxha, dhe ish-drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Mbështetëse, si edhe specialistë të IT. Për të tjerët janë dhënë masa më të buta sigurie.

Ka qenë grupi i inspektimit i Ministrisë së Drejtësisë, e më pas ai i Ministrisë së Financave, që kanë evidentuar shkeljet me pasoja të rënda për buxhetin e shtetit.

Tenderat, për të cilat janë marrë nën hetim 12 persona, kapnin vlerën e disa milionë eurove, ndërsa po verifikohen edhe veprimet dhe përgjegjësia konkrete e ish-ministrit të drejtësisë Ylli Manjani, por edhe ish-ministrit Petrit Vasili, pasi po hetohet pikërisht periudha kur institucioni drejtohej prej tyre.

Shkeljet më të rënda janë raportuar në lidhje me shërbimin e kamerave në burgje, ndërsa ka dyshime se edhe regjistri noterial nuk funksiononte.