Ballina Aktualitet Tiranë, ankimohet vendimi për Shullazin, Prokuroria: Nuk u mor parasysh kërcënimi i...

Tiranë, ankimohet vendimi për Shullazin, Prokuroria: Nuk u mor parasysh kërcënimi i profesorëve Koni dhe Kule

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ankimuar vendimin për Emiljano Shullazin dhe 4 bashkëpunëtoret e tij të dënuar 3 javë më parë me 55 vite burg.

Gjykata nuk e gjeti fajtor këtë grup për të gjitha episodet për të cilat i akuzonte prokuroria. Sipas gjykatës nuk kishte prova që Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endri Qyqja, Endri Zela dhe Blerim Shullazi të kishin kërcënuar dy profesorët Dhori Kule dhe Mënyr Koni me qëllim që ky i fundit të tërhiqej nga gara për rektor. Gjithashtu për togat e zeza nuk faktohej se ishin këta persona ata që kishin hedhur tritol në biznesin e Adriatik Kërçukut në Lushnjë.

Por Prokuroria pretendon të kundërtën sepse edhe këto dy raste sipas tyre janë të provuara me fakte. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dënoi me 14 vite heqje lirie Emiljano Shullazin, i cilësuar nga prokuroria kreu i grupit kriminal.

Me 12 vite u dënua Gilmando Dani, 10 vite u dhanë për Endri Qyqen dhe Endri Zelën, ndërsa për Blerim Shullazin 9 vite burg. Këta persona në bashkëpunim me njeri-tjetrin i kanë marrë biznesmenit Ylvi Beqja 550 mijë euro dhe 30% të ish-hotel Vollgës në Durrës me anë të kërcënimeve.