Ballina Aktualitet Tiranë, ambasadori Soreca thirrje opozitës për protestën e 16 shkurtit: Jo dhunë

Tiranë, ambasadori Soreca thirrje opozitës për protestën e 16 shkurtit: Jo dhunë

Gjatë një interviste ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca i bëri apel opozitës për zhvillimin e një manifestimi paqësor në demonstratën e 16 Shkurtit.

“Mendoni për të ardhmen. Ky është një moment me rëndësi për Shqipërinë në kuptimin që e drejta e tubimit, e drejta e fjalës, janë një pjesë thelbësore e çdo shoqërie demokratike. Por është gjithashtu e vërtetë që këto të drejta duhet të ushtrohen në mënyrë paqësore. Prandaj, presim një manifestim paqësor, që të mos kthehet në dhunë. Kjo është një thirrje për të gjitha palët e përfshira. Është e rëndësishme që të gjithë të jenë konstruktivë. Shqipëria duhet të fokusohet te detyrat që ka përpara dhe të gjitha palët duhet të bashkëpunojnë. Nuk ka kohë për të humbur, është koha për të shprehur mendime dhe pastaj të mendojmë për të mirën e të gjithë shqiptarëve,” theksoi Soreca.

Thirrja e BE për të shmangur incidentet e dhunës në protestën e të shtunës vjen pasi opozita kërkon largimin e kryeministrit Rama, rënien e qeverisë së tij, formimin e një qeverie kalimtare me akademikë, për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të ndershme, që sipas opozitës qeveria Rama nuk mund t’i garantojë.