Ballina Aktualitet Tiranë, ambasadori Soreca: Studentët të zgjedhin përfaqësi për dialog

Tiranë, ambasadori Soreca: Studentët të zgjedhin përfaqësi për dialog

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli priti sot në një takim në selinë e Kuvendit të Shqipërisë, shefin e Delegacionit Evropian në Shqipëri, ambasadorin Luigi Soreca, ku u diskutua edhe mbi zgjidhjen optimale ndaj kërkesave të studentëve.

Biseda fillimisht u fokusua tek protesta e studentëve dhe domosdoshmëria për të gjetur sa më parë një zgjidhje optimale ndaj kërkesave të tyre dhe situatës së krijuar.

“Çështjet e edukimit nuk janë kompetencë e BE, për këtë arsye ne pritëm disi gjatë për të reaguar,” – u shpreh ambasadori Soreca.

Më tej, Shefi i delegacionit të BE-së argumentoi se mbështetja shkon për studentët, ndërsa vlerësoi edhe gatishmërinë e qeverisë për dialog.

“Jemi të mendimit se nga njëra anë të gjithë janë në mbështetje të studentëve dhe nga ana tjetër, qeveria është e gatshme për të bashkëbiseduar. Në këto kushte nevojitet që studentët të zgjedhin një përfaqësi e cila mund të dialogojë. Ne jemi impresionuar nga zhvillimi i qytetëruar, jo i dhunshëm dhe i painstrumentalizuar i protestës. Sfida e tyre tashmë është që të organizohen që të mund të marrin edhe mbështetjen e forcave të tjera të shoqërisë civile kombëtare dhe europiane, sikurse është shoqata e Studentëve Evropianë e cila është solidarizuar me studentët shqiptarë,” – shtoi më tej ai.