Ballina Aktualitet Tiranë, ambasadori i BE kërkon dialog konstruktiv nga qeveria dhe opozita (VIDEO)

Tiranë, ambasadori i BE kërkon dialog konstruktiv nga qeveria dhe opozita (VIDEO)

Ne presim që qeveria dhe opozita të angazhohen për të diskutuar në mënyrë konktre me njëri-tjetrin. Kështu u shpreh ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, teksa u pyet nga gazetarët për situatën politike në vend.

“Qeverisë i duhet të punojë për të përmbushur të gjitha detyrimet, përfshirë këtu edhe angazhimet për integrimin evropian, – tha ambasadori i Bashkimit Evropian. – Nga ana tjetër, edhe opozita ka të drejtën e saj të protestojë. Ne respektojmë çdo protestë, mjafton që ajo të jetë e paqtë dhe e qetë, duke përfshirë edhe atë të ditës së sotme.”

Ndërkohë, nesër pritet të mbërrijë në vendin tonë një delegacion nga Komisioni për Çështjet e Jashtme të Parlamentit Evropian, i cili do të zhvillojë takime me qeverinë, udhëheqësit e opozitës dhe me shoqërinë civile. Ambasadori Soreca shpreson që nga këto takime të ketë sinjale pozitive.

“Mendoj se roli i europarlamentarëve është i rëndësishëm. Ata kanë luajtur një rol të rëndësishëm edhe në të shkuarën. Shpresoj se nga këto takime të dalin sinjale pozitive. Ata do të dëgjojnë të dyja palët dhe do të bëjnë një vlerësim, i cili do t’i shtohet përmbledhjes së vlerësimeve për vendimin e qershorit,” – ka shtuar ambasadori Soreca.