Ballina Aktualitet Tiranë, “Allez Waltzer”, mbrëmja gala me valse austriake

Tiranë, “Allez Waltzer”, mbrëmja gala me valse austriake

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit (TKOB) solli së fundmi “Allez Waltzer”, njëmbrëmje gala me valse austriake, për të përmbyllur kështu edhe një vit të gjatë bashkëpunimesh, ndërmjet kulturave të dy vendeve, të Austrisë dhe Shqipërisë.

Ndërthurja e modernes me klasiken në këtë mbrëmje erdhi me vallëzime në tingujt e valsit të mrekullueshëm austriak.

Përshëndetja e parë e përzgjedhur ishte nga opera Kalorësi Pasmann e Strauss-it.

“Është bërë tashme traditë që teatri ynë çdo fund-dhjetor të organizojë galanë më të madhe si një simbolikë e gëzueshme urimi në fund të vitit, për t’i uruar të gjithë publikut tonë, spektatorëve në sallë, teleshikuesve në transmetim. Të gjithë ju që na ndoqët përgjatë 2018-ës dhe bëtë të mundur që të gjithë së bashku të realizonim sfidën më të madhe, zgjerimin e audiencave operistike anemanë vendit,” – u shpreh drejtoresha e TKOB, Zana Çela.

Me kompozitorë si Strauss, Lehar, Mahler, etj., kjo Grand Gala solli zëra si Vikena Kamenica, Eva Golemi, Armaldo Kllogjëri, Ramona Tullumani, Dorina Selimaj etj., por edhe solistët dhe trupën e baletit të TKOB, me koreografinë e austro-italianit Renato Zanella.

Si simbol i gëzimit, i alegrisë, por edhe energjisë dhe ritmit të madh kjo natë mori drejtim nga dirigjent maestro Claudio Buchler, duke bërë që muzika austriake të interpretohej nga artistët shqiptarë.