Ballina Aktualitet Tiranë, 13 të arrestuar nga Policia Rrugore

Tiranë, 13 të arrestuar nga Policia Rrugore

Në vigjilje të festave të Nëntorit dhe fundvitit, është rritur ndjeshëm numri i mjeteve në qarkullim dhe aktiviteteve që zhvillohen kryesisht në sheshet dhe zonat kryesore të kryeqytetit, duke krijuar trafik të rënduar, por edhe premisa për aksidente rrugore.

Në këto kushte Policia Rrugore e kryeqytetit, po ndjek me kujdes dinamikën dhe situatat në terren, planet operacionale për menaxhimin dhe rregullimin e trafikut, sigurimin dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve masive si dhe kontrollet policore gjatë orëve të vona të fundjavës, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të rënda rrugore.

Policia Rrugore e Tiranës, ka njoftuar se për gjatë një jave ka ndalur dhjetra shtetas të cilët kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor duke kryer kundërvajtje të ndryshme ku 13 drejtues mjetesh, janë arrestuar në kushtet e flagrancës për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe disa të tjerë për shkelje të ndryshme të rregullores.