Ballina Aktualitet Tirana në sytë e ekspertit të hapësirave publike: Të pabesueshme të gjitha...

Tirana në sytë e ekspertit të hapësirave publike: Të pabesueshme të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur

Ndryshimet që ka pësuar Tirana duket se spikasin më shumë në këndvështrimet e të huajve të cilët bëjnë diferencën nga hera e parë që kanë vizituar kryeqytetin e shqiptarëve në një vizitë të dytë. Gil Penalosa është një ndër ekspertët që mbron fort zhvillimin e qyteteve sa më miqësore për fëmijët dhe të aksesueshme nga të gjithë. Ai është rikthyer në Tiranë pikërisht se ditën e premte zhvillohet një konferencë e rëndësishme ndërkombëtare me temë “Qytete sa më miqësore për fëmijët” ku ekspertë nga shumë vende shpalosin idetë e tyre. Penalosa, i cili përfaqëson organizatën për qytete 8-80 vjeç, na tregon si e gjen Tiranën.

“Më duken të pabesueshme të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur në Tiranë, duke krijuar një qytet për njerëzit, për të gjithë njerëzit pavarësisht moshës apo backround-it të tyre në një kohë shumë të shkurtër. Herën e fundit që isha këtu ishte 4 vjet më parë, këtu as nuk mund të flisje, kishte shumë zhurmë nga makinat, cilësia e ajrit ishte e tmerrshme, me gropa gjigande dhe madje ishte e vështirë të kaloje. Tani gjithçka që shohim janë gjithë këta njerëz që ulen, diskutojnë, socializohen, kjo është cilësi jete”, tha Penalosa.

“Eksperti ndërkombëtar i zhvillimit të qyteteve duket se ka në fokusin e tij qytetin për fëmijët. Sipas tij ata janë indikatorët për një qytet për të gjithë.

“Mendoj se në Tiranë ju keni bërë hapa gjigantë për të krijuar një qytet që është i këndshëm për fëmijët. Unë mendoj se në Tiranë, si në shumë qytete të tjera post-komuniste, makina është bërë një simbol i statusit ekonomik. Kështu që secili mendon se ia doli, nëse ka një makinë. Ndërsa realiteti tregon se në qytete në botë siç janë Kopenhagen, Parisi, Barcelona, Nju Jorku, makina nuk është një simbol statusi. Më së shumti është simbol statusi që të mos kesh një makinë. Njerëzit janë të gatshëm të paguajnë një qira më të lartë për të jetuar në një lagje ku mund të ecet lirshëm. Duhet të krijojmë një qytet të qëndrueshëm, një qytet që i krijon mundësi njerëzve që të jenë të shëndetshëm, si fizikisht, ashtu edhe mendërisht”, theksoi Penalosa.

Gil Penalosa vlerësoi nxitjen e lëvizjes me biçikleta, shtimin e parqeve, ndërtimin e shkollave të reja dhe gjithçka është bërë në kryeqytetin shqiptar. “Është bërë shumë, por sigurisht ka shumë për të bërë”, deklaroi Gil Penalosa, një ndër ekspertët që mbron fort zhvillimin e qyteteve sa më miqësore për fëmijët dhe të aksesueshme nga të gjithë.

Gil (Guillermo) Penalosa është i pasionuar për krijimin e qyteteve për të gjithë njerëzit. Ai ka frymëzuar dhe këshilluar vendimmarrësit në më shumë se 350 qytete në të gjithë botën, sesi të krijojnë qytete të gjalla me komunitete të shëndetshme, ku të gjithë njerëzit mund të jetojnë më të lumtur, pavarësisht moshës, gjinisë, aftësisë, statusit social-ekonomik, apo etnik. Fokusi i tij është në projektimin dhe përdorimin e parqeve, rrugëve, trotuareve si vende të mëdha publike, si edhe lëvizshmërinë e qëndrueshme: ecjes, ngarjes së biçikletave, përdorimit të transportit publik dhe mënyrave të reja të përdorimit/shfrytëzimit të makinave. Gil vë në pah përfitimet për shëndetin publik, mjedisin, lëvizshmërinë, zhvillimin ekonomik.