Ballina SPORT Tirana kërkon të fitojë derbin pas plot 5 vitesh

Tirana kërkon të fitojë derbin pas plot 5 vitesh

Këtë të premte, Tirana ka mundësinë të thyejë një “mallkim”, që rëndon shumë mbi tifozët bardhëblu në futbollin shqiptar, pasi nuk fiton ndaj Partizanit, në sfidën emblematike të kryeqytetit, prej thuajse 5 sezonesh.

Ish-mesfushori Ardi Mema, tani në stolin e Tiranës, e di mirë sesi mund të imponohesh në një ndeshje derbi, e këtë po ua transmeton lojtarëve, edhe pse ndeshja e së premtes nuk kërkon motivim shtesë.

“Çdo gjë varet nga futbollistët, por edhe nga unë. Bashkë me lojtarët e shohim si ndeshje radhe, edhe pse ka peshën e vet. Lojtarët duhet të bëjnë detyrat, si në çdo ndeshje. Karikimi për këtë ndeshje është. Tre pikë vlen Partizani, si çdo ekip tjetër”, tha Ardi Mema, trajner i Tiranës.

Me 3 barazime dhe 3 humbje që kur mori drejtimin e bardhebluve, Ardi Mema nuk ka arritur të gëzojë suksesin e parë në pankinë. Por, edhe nëse vjen këtë fundjavë, ai nuk do ta gëzojë dot me grupimin kryesor të mbështetësve bardheblu, që kanë njoftuar bojkotin. Gjithsesi për Memën, fjala këtë herë u takon lojtarëve.