Ballina Aktualitet Tirana ‘blindohet’ me kamera në kryqëzimet e saj

Tirana ‘blindohet’ me kamera në kryqëzimet e saj

Tirana sot monitorohet me 23 kamera në kryqëzimet kryesore të cilat përcjellin imazhet në  Qendrën e Monitorimit dhe Menaxhimit të Sistemeve të Trafikut (MMST). Por kjo sipas Bashkisë së Tiranës nuk është e mjaftueshme për të dhënë të plotë tablonë e trafikut në kryeqytet që në orare të ndryshme arrin pikun.

Në një procedurë të hapur së fundmi Bashkia synon që të prokurojë shërbimin për instalimin e 51 kamerave shtese në 44 kryqëzime, integrimin e tyre me nënsistemet e tjera ekzistuese të qendrës, duke plotësuar kështu një tablo të qartë të qytetit për operatorët e MMST për përmirësimin e menaxhimit të trafikut si dhe monitorimin në kohë reale nga ana e përdoruesve nëpërmjet aplikacionit Tirana Ime.

“Secila kamer do te ketë një IP unike dhe do te lidhet me serverin me anën e fibrave optike, i cili është rrjeti primar i komunikimit dhe nëpërmjet Router-it 3G, rrjeti sekondar. Switch-i i fibrës optike dhe Router 3G, në të gjitha nyjet do të konfigurohen me IP përkatëse në mënyrë që të realizohet komunikimi i vazhdueshëm dhe i sigurt i kamerave me serverin dhe anasjelltas.

Në dhomën e serverave do të instalohet edhe një server i administrimit të imazheve, i cili do të jetë i integruar me serverin ekzistues. Gjithashtu, do te instalohen edhe 36 UPS të rinj, në ato nyje ku nuk ka një të tillë, të cilat shërbejnë për vazhdimësinë e funksionimit të kamerave në  rastet e ndërprerjes apo luhatjeve të energjisë elektrike” thuhet në dokumentin e Bashkisë.

Qëllimi i projektit nënvizohet se është përmirësimi i menaxhimit të fluksit të trafikut, duke reduktuar kohën e pritjes në kryqëzime, uljen e sasisë së ndotjes nga gazet e daljes, kryesish gjate orëve pik të ditës.

Fondi limit për procedurën është 55 milionë lekë pa tatimin mbi vlerën e shtuar ndëkrohë që operatorët mund të paraqesin ofertat e tyre deri në datë 20 qershor.