Ballina Aktualitet Tiranë, dënimi i Shullazit, Ambasada e Gjermanisë: Askush nuk qëndron mbi ligjin

Tiranë, dënimi i Shullazit, Ambasada e Gjermanisë: Askush nuk qëndron mbi ligjin

Ambasada e Gjermanisë në Tiranë ka përshëndetur vendimin e Gjykatës për Krimet e Rënda, e cila dënoi Emiljano Shullazin dhe anëtarët e tjerë të bandës së tij për një seri krimesh, që nga gjobëvënia e deri tek tentativa për vrasje.

Përmes një postimi në Facebook, ambasadorja gjermane Susanne Schütz thekson faktin se “askush nuk qëndron mbi ligjin.”

“E kam ndjekur me shumë vëmendje procesin ndaj pesë të pandehurve në çështjen Emiljano Shullazi dhe përshëndes faktin që tanimë është marrë një vendim në shkallë të parë. Vendimet e Gjykatës për Krimet e Rënda të bëra të ditura ditën e djeshme tregojnë, që askush nuk qëndron mbi ligjin, sikundër nënvizojnë forcën e shtetit ligjor në Shqipëri.
Është e rëndësishme që drejtësia shqiptare të vazhdojë të veprojë kundër krimit të organizuar mbi bazën e ligjit dhe të drejtës. Përmirësimi i bilancit të sukseseve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga detyrat qendrore të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian,” – thotë ambasadorja gjermane Schütz.