Ballina OPINION T’i besosh kësaj opozite të re

T’i besosh kësaj opozite të re

nga Leonidha Mërtiri

Protestat e studentëve tanë duket që kanë kthyer te ne një ngjarje të shumëdëshiruar, për t’i ndjekur dhe inkurajuar ato. Më në fund, shpresohet me të drejtë që vendi të bëhet me një opozitë të vërtetë. Kjo opozitë nuk duket aspak e shtirur, përkundrazi, e natyrshme, që vjen pas një zhgënjimi të gjatë, ngërthyer në refrenin e njohur të cilitdo që ka qeverisur, se “klima do të ndryshojë”. Në të janë fëmijët tanë, nipat e mbesat tona universitarë, protestuesit e këtyre ditëve. Ata vijnë nga auditorët, larg lojërave politike. Pavarësisht pse në radhët e tyre nuk mungojnë dhe ata që janë militantë të partive, me emrat e njohur, Parti Socialiste, Parti Demokratike, Lidhje Socialiste për Integrim a ndonjë parti tjetër, të cilat nga pozicione të ndryshme kanë mbajtur për kaq vite peng tërë vendin.

Fjala nuk është për idealizim apo kultngritje të kësaj opozite, por dhe as për të mbetur në tjerrje e çtjerrje, ngarkuar me shumë dyshime ndaj saj, të pranishme këto në disa debate televizive apo diku në median e shkruar. Mendoj se më shumë i duhet besuar kësaj opozite të vërtetë, edhe pse në fillesat e saj, sikurse dhe 28 vjet më parë, kur fryma e protestave të studentëve të atëhershëm ndikoi fuqishëm në forcimin e besimit të njerëzve tek ajo erë e re që po përfshinte tërë vendin dhe që do të çonte në rënien e sistemit të mëparshëm.

Edhe pse nuk mund të flasim për një platformë të konturuar të këtyre protestave, kërkesat, që erdhën edhe më të plota gjatë ditëve të para, i bashkon qartazi një fill i dukshëm, natyrshmëria, sepse janë tepër njerëzore dhe si të tilla – domosdoshmëria për t’i realizuar. Ndërkohë, ato rritin me të drejtë optimizmin dhe, për rrjedhojë, përkrahjen dhe inkurajimin e tyre. Këto të fundit i favorizon më tej dhe fakti që njerëzit janë të stërlodhur nga qeverisjet e deritanishme, nga fytyrat e njëjta, të ngujuara në drejtimin e sa njërit – tjetrit institucion të rëndësishëm, sikurse dhe nga një opozitë e mefshtë, e përfshirë nga kriza.

Bie gjithashtu në sy fakti që këta studentë, duke i njohur më mirë plagët e veta, reflektojnë në nevojën për një arsim model, përmes, krahas të tjerave, rritjes së interesit për mësimin, shkencën, por dhe distancimit nga ata mësimdhënës me moral krejt të nëpërkëmbur që shkundin pacipërisht xhepat e prindërve. Në vendosmërinë e tyre, njerëzit, edhe pse të lodhur, shpresojnë që arsimimi në vendin tonë, pavarësisht vështirësive të krijuara, do të gjejë rrugët reale të ngritjes së tij.

Kjo lëvizje e studentëve, edhe pse e ardhur pas një pritjeje të gjatë, me sa duket, do të shtrihet dhe më tej për t’u kthyer në lëvizje politike. Dhe, mendoj se do të ketë të gjithë përkrahjen e njerëzve, që koha e humbur deri tani të mos kthehet më. Sigurisht, kjo nuk është aq e lehtë sa shprehemi dhe faktorët frenues jo se janë të panjohur. Në këtë situatë, secila palë, në pushtet apo vërdallë saj, duke u “dashuruar” më tepër me protestuesit, do të kërkojë në të njëjtën kohë, sikurse dhe po vihet re, të përfitojë sa më tepër. Por a mund t’i besohet më tej kësaj lloj dashurie, kur brenda saj lëvrijnë përpjekjet për degradimin e protestave? Problemet që ngrenë studentët nuk janë të sotëm apo të këtyre ditëve. Kush mund të jetë përgjegjës, përveçse atyre vetë – vendimmarrësve, që e katandisën arsimin te ne në ditë të vështirë dhe studentëve dhe shokëve të tyre të mëparshëm t’u marrin të ardhmen, shpresën për punë e për të jetuar në vendin e vetë. Premtimet e sotme virtuale nga të gjitha partitë politike i bëjnë ata dhe më qesharakë përballë arrogancës së derisotme të atyre që janë apo nuk janë sot në pushtet dhe me këllqet në korrupsion.

Të inkurajuar nga këto forca politike dhe individë të këtyre të fundit, “të dërguarit e posaçëm”, sikurse thamë, edhe gjatë këtyre ditëve dhe në ditët që do të vinë do të kërkojnë të depërtojnë në këto protesta për t’i manipuluar ato, që ujët e ndenjur të mbeten në shtratin e vet dhe për rrjedhojë, të sfumohet lëvizja e fuqishme e studentëve. Por kjo nuk është diçka e re. Siç dihet, ato i mban gjallë frika e ikjes së pushtetit, i marrjes së tij nga forca të tjera. Pushteti i sotëm, por edhe opozita përkrah saj, klasa e korruptuar, nuk mund ta zgjatin më tutje zinxhirin e prapësive, por dhe mospërfilljen ndaj fuqisë së protestuesve studentë dhe halleve të prindërve të tyre. Është një moment i rëndësishëm historik. Këta studentë, po paqësisht, po i japin realisht jetë atij, me synimin e admirueshëm, që Atdheu i tyre të ketë vendin që i takon, që e nesërmja, pas përfundimit të studimeve universitare të jetë më e sigurt për ta. Ndaj, t’u besojmë edhe më shumë atyre.