Thumanë, Basha me banorët e prekur nga tërmeti: Jemi në krizë, zgjidhja është qeveria e re

0
4

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, teksa kthehej nga Thumana, një nga zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, ka bërë të ditur, përmes një postimi në Facebook, se “vendi ndodhet në një krizë të plotë humanitare, ekonomike, sociale, politike dhe kushtetuese.” Sipas Bashës, zgjidhja e kësaj krize “duhet të nisë me përpjekjet e të gjithë shqiptarëve pa dallime partiake, për të patur një qeveri të përgjegjshme.”

“Jemi në një krizë humanitare, me përmasa të plota, e cila vetëm sa do të thellohet, – thekson lideri demokrat. – Sepse shteti nuk po vepron. Qeveria dhe kryeministri e kanë mendjen tek parada mediatike, propaganda dhe po bëjnë gati të ngrenë mbi rrënojat e tërmetit një tjetër megaaferë korruptive, vjedhje, zhvatje dhe grabitje.”

“Vendi është në një krizë të thellë humanitare, ekonomike, sociale, politike dhe kushtetuese, – nënvizon Basha në postimin e tij në Facebook. – Rruga për ta zgjidhur këtë krizë duhet të nisë me përpjekjet e të gjithë shqiptarëve pa dallime partiake, për të patur një qeveri të përgjegjshme. Një qeveri e cila ndihmon në kapërcimin e pasojave të tërmetit dhe bën gati të gjitha masat dhe të gjitha instrumentet për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të goditur kaq rëndë dhe për të ndalur rrokullisjen e ekonomisë kombëtare, në një greminë edhe më të thellë.”