Ballina Aktualitet Tërmeti / Merren në pyetje drejtuesit e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë...

Tërmeti / Merren në pyetje drejtuesit e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës

Drejtori dhe nëndrejtori i Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje lidhur me shembjen e godinës nga tërmeti i 26 nëntorit, e cila shkaktoi vdekjen e kryekomisarit Bajram Hajdarmetaj.

Sipas burimeve paraprake policore, të shoqëruar janë shtetasit Ahmet Doda dhe Kujtim Hasa. Ata do të merren në pyetje lidhur me dyshimet për shkelje dhe neglizhencë gjatë kryerjes së detyrës.

Nga inspektimi i kryer pas tërmetit të 21 shtatorit, ndërtesa e shembur më 26 nëntor ishte përcaktuar për ndërhyrje urgjente në muraturë pasi kishte pësuar dëmtime. Por, rekomandimet e dhëna nuk ishin zbatuar, ndërkohë që objekti vijoi të përdorej për të akomoduar pushues.

Më 26 nëntor, tërmeti shkaktoi shembjen e një pjesë e godinës, duke i marrë jetën kryekomisarit Hajdarmetaj. Natën e 26 nëntorit, në të njëjtën godinë kanë qenë të akomoduar edhe një grup studentësh të Akademisë së Policisë, që fatmirësisht nuk kanë pësuar lëndime.